Numri i të vdekurve gjatë protestave në Iran ka arritur në 2.571 persona, njoftoi sot organizata për të drejtat e njeriut HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Sipas HRANA-s, deri më tani janë konfirmuar vdekjet e 2.403 protestuesve, 147 personave të lidhur me qeverinë, 12 të miturve nën moshën 18 vjeç dhe nëntë qytetarëve që nuk kanë marrë pjesë në protesta.
Sipas informacioneve, protestat janë përhapur në rreth 180 qytete dhe qyteza, në të gjitha 31 provincat e Iranit. Fillimisht ato u nxitën nga kolapsi i monedhës kombëtare dhe rritja shpërthyese e kostos së jetesës, por shumë shpejt u shndërruan në kërkesa të hapura politike.
Analistët vlerësojnë se bëhet fjalë për një nga sfidat më serioze me të cilat është përballur regjimi teokratik që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Situata u përshkallëzua ndjeshëm të enjten e kaluar, kur autoritetet iu përgjigjën protestave me dhunë vdekjeprurëse.
Reagimi shtetëror u shoqërua me një ndërprerje pothuajse totale të internetit dhe telekomunikacioneve, duke e bërë shumë të vështirë verifikimin e pavarur të ngjarjeve.