I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë artisti shumë i talentuar Sardi Strugaj. Ai ka folur më shumë për dy projektet e tij më të fundit “Për ty dehem” dhe “Ti shko”, pritshmëritë e tij për vitin 2026, si dhe për jetën personale…
Pse është kjo zgjedhja jote për të qenë më i tërhequr nga daljet televizive?
Ftesa marr shumë për intervista nga televizione të ndryshme, më duket pak e tepërt të dal tek të gjitha, por krijon hatërmbetje nëse i shkon dikujt e dikujt tjetër jo. Nuk i kam shumë qejf daljet televizive, as kamerat. Dikur nuk dilja në klipet e këngëve të mia. Pija kafen kudo, nuk më njihnin. Kjo pjesa e ekspozimit të tepërt më bezdis pak. Prandaj intervistat e mia janë më të rralla. Këtu tek ju nuk them dot ‘jo’.
Ndihesh i realizuar?
Jam natyrë që nuk kënaqem kollaj. Ndihem që kam bërë punë shumë të mira, falë kësaj pune të palodhur jam këtu ku jam. Po nxjerr këngë vazhdimisht, po rris audiencën që më ndjek. Ndihem i kënaqur por jo plotësisht. Që të jem 100% i kënaqur është pak e vështirë. Jam gjithmonë kritik. Ia di shumë mirë të gjitha vlerat vetes, ia di arritjet, por është me natyrë.
Si do e konsiderosh vitin 2025 për karrierën tënde?
Vit fantastik, jam rritur shumë. Jam shumë i lumtur me çfarë ka sjellë 2025 dhe mezi po pres 2026. Jam shumë pozitiv, 2026 mendoj se do jetë super vit.
Do e konsideroje të hyje në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania”?
Ta lë kështu të hapur… Po më provokonte një shok para ca kohësh dhe më tha që e kishte marrë vesh, i kishin ardhur disa informacione që do jem pjesë e “Big Brother”. I thashë që nuk më lejohet ta them, e kemi në kontratë (qesh). E bëj shpesh, që i ngacmoj njerëzit. Gjithmonë më pyesin dhe ia lë të hapur. Do e shihni.