Aktualitet

Plagosi policin gjatë shoqërimit, lihet në burg Zamir Skënderi!

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat sot caktoi “Arrest në burg” për shtetasin Zamir Skënderi, autori i plagosjes me armë zjarri të efektivit të policisë Arsen Toska, mbrëmjen e 18 majit. Autori Zamir Skënderi 45-vjeç, banues në qytetin e Kuçovës, u çua në ambjentet e Gjykatës së Beratit nën masa të rrepta sigurie. Seanca u mbajt me dyer të mbyllura.

Ka qenë prokurorja e çështjes Marilda Frashëri, e cila pasi parashtroi para gjykatës rrethanat e ngjarjes, kërkoi “cilësim të ligjshëm” të arrestimit të shtetasit Zamir Skënderi dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest me burg”, për veprat penale: “Vrasja me dashje e Punonjësve të Policisë së shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj”, parashikuar nga Neni 79/b i Kodit Penal dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Neni 283/1 i Kodit Penal.

Pasi avokati mbrojtës i Skënderit shpjegoi se ngjarja ka ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike të autorit, që ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe pasi vetë autori shprehu pendesë, duke deklaruar se “nuk mban mend se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur”, gjyqtarja e çështjes vendosi “cilësimin të ligjshëm” të arrestimit të shtetasit Zamir Skënderi dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest me burg”.