Aktualitet

“Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi zbardh atentate të porositura në Fier!

Pas disa seancash të dështuara, i penduari i tretë në dosjen e bujshme “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi, sot dha dëshminë e tij para Gjykatës së Posaçme. Tasi zbardhi detaje tronditëse për atentate të porositura në Fier, ku siç u shpreh ishte përfshirë së bashku me emra të njohur të botës së krimit.

Në dëshmi, deklaroi se ishte njohur me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, përmes një shoku të përbashkët, që e identifikon si Viron Tavanxhi, i cili po ashtu rezulton të ketë qenë porositësi i njërit prej atentateve.

Henrikun e takova për herë të parë në vitin 2017. Viron Tavanxhi na njohu për të ekzekutuar një person në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e shënjestrës e një makinë “Alfa Romeo”, si dhe një armë automatike.

Sipas tij, viktima që synonin ishte Agim Boriçi, një emër i njohur në Fier. Tasi tregoi se ditën e atentatit, Hoxhaj e kishte njoftuar me urgjencë:

Henriku më tha se porositësi i kishte kërkuar llogari se “shumë po e zgjasni atë punë”. Shënjestra ishte lokalizuar në një bar pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. Mora armën dhe shkova atje. Kur më pa, ai bërtiti dhe u shtri përdhe. Mendova se e qëllova, por pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit dhe hodha pistoletën në lumin Gjanicë.

Po ashtu, ai konfirmoi se atentati ishte porositur nga Viron Tavanxhi dhe se tentativa qe realizuar në vitin 2018, edhe pse përgatitjet kishin nisur një vit më herët. Në vijim, Skerdi Tasi deklaroi se Hoxhaj kishte marrë përsipër një tjetër atentat, ekzekutimin e Hajredin Beharit.

Sipas tij, viktima frekuentonte një lokal përballë shtëpisë dhe kishte një dyqan vajrash për makina.

Dëshmia e Tasit pritet që të luajë një rol kyç në zbardhjen e veprimtarisë kriminale të rrjetit të përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”, një prej hetimeve më të mëdha të SPAK-ut kundër krimit të organizuar në vend.