Sport

Po shkëlqen me Juventusin në Kupën e Botës për Klube, Jildiz: Rri te “Zonja” gjithë jetën, do të ishte ëndërr

Në mesin e talenteve që po shkëlqejnë në Kupën e Botës për Klube, spikat një emër mbi të tjerëtb, Kenan Jildiz. Sulmuesi i ri i Juventusit që po mahnit në fushë, por edhe jashtë saj, në një intervistë ku ka folur për “La Gazzetta dello Sport” me vetëbesim dhe qetësi që nuk e tradhton moshën e tij të re. “Jam krenar që përfaqësoj Juventusin. Nuk ndiej presion, përkundrazi, ndjej siguri. E di çfarë duhet të bëj dhe punoj çdo ditë për të ndihmuar skuadrën. Vetëbesimi është thelbësor për të përballuar çdo sfidë”, shprehet 19-vjeçari.

NDRYSHIMI- “Kam ndryshuar shumë. Nga një adoleshent i thjeshtë, tani po bëhem burrë. Po mësoj të rritem, sidomos në aspektin mendor. Kur je i ri dhe luan me lojtarë më të mëdhenj, duhet të ngjitesh në nivelin e tyre, të ndryshosh qasjen dhe të kujdesesh për trupin. Ka pasur edhe momente të vështira, por jam i kënaqur me gjithçka deri tani”.

KRAHASIMI ME DEL PIERON– “Nuk më pëlqejnë krahasimet. Kam studiuar Del Pieron, por jemi dy njerëz të ndryshëm. Dua të ndjek rrugën time. Të qëndroja gjithmonë te Juventusi? Do ishte një ëndërr, por në futboll nuk i dihet kurrë. Preferoj të jetoj të tashmen dhe të jap maksimumin për skuadrën. Për kontratën? Nuk mendoj për këtë tani. Nuk flas për para, vetëm për përkushtimin në fushë”.

TUDOR- “Që kur ka ardhur, ka sjellë shumë energji. Më ka ndihmuar të fokusohem vetëm në detyrat e mia në fushë. Më jep liri dhe kjo më bën të ndihem mirë. Nuk është e rëndësishme vetëm të shënosh, por të luash mirë dhe të japësh gjithçka”.

BASTI– “Nëse do rruaja kokën për të fituar Kupën e Botës? Jo, më vjen keq! Jam falënderues ndaj Alegrit që më ndihmoi dhe më bindi të pres flokët, por ta rruaj kokën plotësisht… këtë nuk e bëj dot!” – mbyll me buzëqeshje Kenan Jildiz, duke treguar se stili dhe karakteri ecin paralelisht tek ai