Aktualitet

Policë vullnetarë pa armë dhe të padënuar! Kriteret dhe kush mund të angazhohet, ‘jashtë’ gjyqtarët e prokurorët! Certifikim nga Akademia e Sigurisë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të Policisë Vullnetare, duke shfuqizuar vendimin e vitit 2019. Ky vendim i ri, i mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, riorganizon nga themeli mënyrën se si qytetarët angazhohen si policë vullnetarë në mbështetje të strukturave shtetërore të rendit.

 Çfarë është Policia Vullnetare dhe si funksionon?

Policia Vullnetare është një strukturë ndihmëse, ku qytetarët angazhohen vullnetarisht, pa pagesë, për të mbështetur Policinë e Shtetit në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Këta qytetarë nuk janë punonjës të policisë, por janë të trajnuar dhe të certifikuar për të kryer detyra të caktuara.

Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Sipas vendimit të publikuar në faqen e Kryeministrisë, shërbimi i policëve vullnetarë nuk zgjat më shumë se 5 orë në ditë dhe 25 orë në javë.

Policët vullnetarë trajnohen nga Akademia e Sigurisë dhe numri i atyre që do të shërbejnë përcaktohet çdo vit nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, përcakton numrin e policëve vullnetarë. Mes policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë lidhet një kontratë vullnetarizmi, e cila rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.

Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.

Fushat ku angazhohen policët vullnetarë

Policët vullnetarë angazhohen në menaxhimin e rendit në aktivitete masive, ndihmojnë në rregullimin e trafikut, patrullojnë pranë institucioneve arsimore, ndihmojnë në parandalimin e krimit, mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, mbështesin policinë kufitare dhe marrin pjesë në operacione emergjencash civile dhe kërkim-shpëtimi.