Rajoni

Policia e Kosovës: Tre zyrtarë policorë u rrëmbyen nga forcat serbe në veri!

Policia e Kosovës raporton për tre efektivë të kufirit që dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të vendit. Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviçit. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Njësia policore ishte duke kryer një patrullë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale që shfrytëzohen nga grupet kriminale për kalime ilegale dhe kontrabandë.

Ky njësit i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, njoftoi se ka vërejtur persona të maskuar e të armatosur e kërkoi asistencë. Drejt tyre janë nisur të tjera njësi të policisë.

Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka rrëmbyer 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës”.

Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor.

Nga faktori ndërkombëtar kërkoj që urgjentisht të rrisë presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët tanë policorë, por edhe të ndalë provokimet e saj.

Policia shtoi se media të ndryshme serbe kanë raportuar se njësitë speciale serbe kanë arrestuar zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Aktualisht, nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë çështje nga Beogradi. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç ka paralajmëruar një konferencë të jashtëzakonshme për media në këto çaste.

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur janë rritur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Tensionet nisën më 26 maj kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përlplasjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.