Art & Kulturë

Pompidou mbyllet përkohësisht, por Parisi nuk mbetet pa artin modern!

Qendra Pompidou, muzeu më i madh i artit modern në Paris do të mbyllet këtë muaj për një restaurim 5-vjeçar. Kjo ndërprerje i hap rrugë vizitorëve të zbulojnë adresa të tjera po aq mbresëlënëse të artit bashkëkohor në qytet.

Musée d’Art Moderne de Paris

Mes Kullës Eiffel dhe Champs-Élysées ndodhet muzeu i dytë më i madh i artit modern në kryeqytet. Me koleksione që përfshijnë Picasson, Modiglianin e Matisse, ai shpalos rrymat kryesore të shekullit XX e XXI, duke ruajtur edhe veprën monumentale të Dufy La Fée Électricité.

L’Atelier des Lumières

Një përvojë që i shndërron vizitorët në pjesë të veprës artistike. Ish-fonderia e shekullit XIX është kthyer në hapësirë multimediale ku 140 projektorë e muzika krijojnë ekspozita plot gjallëri, nga Van Gogh deri te Le Petit Prince.

Musée du Quai Branly

Një udhëtim jashtë Europës: muzeu ruan 300 mijë artefakte, 700 mijë fotografi dhe mijëra instrumente e veshje tradicionale nga Afrika, Azia, Oqeania dhe Amerika. Përveç ekspozitave, ndërtesa njihet për “murin e gjelbër” me 150 lloje bimësh nga e gjithë bota.

Galeria Suzanne Tarasiève

E themeluar në Le Marais, kjo galeri vazhdon pas vdekjes së themelueses në vitin 2022 të ekspozojë zëra të rinj e të guximshëm të artit bashkëkohor. Me piktura, skulptura e fotografi nga emra si Boris Mikhaïlov apo Juergen Teller, është një adresë për adhuruesit e risisë dhe surrealizmit.

Fondation Louis Vuitton

Për ata që i admirojnë format arkitekturore të pazakonta, muzeu i Frank Gehry ngjan si një anije xhami mes gjelbërimit. Brenda, koleksioni ndahet në katër tema: Kontemplative, Pop, Muzikë&Tingull dhe Ekspresioniste, ndërsa aktivitetet shoqërohen me debate e evente kulturore.

Mbyllja e përkohshme e Pompidou nuk e lë Parisin pa art modern. Përkundrazi, është një ftesë për të eksploruar hapësira të tjera, ku krijimtaria ndërthuret me historinë, teknologjinë dhe arkitekturën bashkëkohore. /shqip.al