Prada ka njoftuar se do të lançojë një koleksion të kufizuar sandalesh “Made in India”, të frymëzuara nga këpucët tradicionale indiane Kolhapuri chappals, me çmim rreth 800 euro për palë. Lajmi u konfirmua për Reuters nga Lorenzo Bertelli, drejtues i lartë i grupit italian të luksit. Sipas Bertelli-t, Prada do të prodhojë 2,000 palë sandale në rajonet Maharashtra dhe Karnataka, në bashkëpunim me dy institucione shtetërore, duke kombinuar mjeshtërinë tradicionale indiane me teknologjinë.
Koleksioni pritet të dalë në shitje në shkurt 2026, në rreth 40 dyqane Prada në mbarë botën dhe online. Marka u përball me kritika rreth gjashtë muaj më parë, pasi në një sfilatë në Milano prezantoi sandale që i ngjanin këpucëve indiane të shekullit XII. Imazhet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta nga artizanë dhe politikanë indianë. Prada më pas pranoi se dizajni ishte frymëzuar nga stilet e lashta indiane dhe nisi bisedime për bashkëpunim me komunitetet artizanale.

Tashmë, kompania ka nënshkruar marrëveshje me Sant Rohidas Leather Industries and Charmakar Development Corporation (LIDCOM) dhe Dr Babu Jagjivan Ram Leather Industries Development Corporation (LIDKAR), institucione që promovojnë trashëgiminë e lëkurës në Indi. “Ne duam të jemi një shumëzues i ndërgjegjësimit për këto chappals,” u shpreh Bertelli, djali i madh i themeluesve të Prada-s, Miuccia Prada dhe Patrizio Bertelli.
Bashkëpunimi, i planifikuar për tre vjet dhe ende në fazë finalizimi, do të përfshijë programe trajnimi për artizanët lokalë në Indi, si dhe mundësi për qëndrime të shkurtra në Akademinë e Prada-s në Itali. Artizanët shpresojnë se bashkëpunimi me Prada-n do të rrisë të ardhurat, do të tërheqë brezat e rinj drejt zanatit dhe do të ndihmojë në ruajtjen e një trashëgimie të rrezikuar nga imitimet e lira dhe rënia e kërkesës.