Aktualitet

Presidenti Bajram Begaj: Asgjë s’mund ta zhbëjë këtë trashëgimi sakrifice e heroizmi!

Pas Kryeministrit Rama, edhe presidenti Bajram Begaj ka reaguar për protestën, teksa shkruan se UÇK-ja është krenari e historisë së kombit shqiptar dhe asgjë nuk mund ta zhbëjë këtë “trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”

“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”, ka shkruar presidenti Begaj.

Theksojmë se Kryeministri Rama nuk mori pjesë në protestë për të shmangur sipas tij politizimin e saj.

Në një reagim që bëri dje në përgjigje të akuzave të LVV, tha mes të tjerash se “….do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.”

Në protestë, ishte i pranishëm dhe mbajti një fjalim edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu. Ndër të tjera Moisiu tha:

“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së, që luftuan për lirinë e atdheut. Në vitin 2022, bashkë me presidentin Rexhep Meidani, Bamir Topi, Pandeli Majko, në dhomat e paraburgimit për të takuar personalisht presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin të frikësuar, por burra të vërtetë, qëndronin të qetë, të gatshëm për t’u sakrifikuar për të pasur luftën e UÇK-së pa njollat që padrejtësisht duan t’i japin ata që nuk i njohin mirë shqiptarët. Ata kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së. Janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelat e errëta serbo-ruse. Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA, dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së, liri luftëtarëve të UÇK-së”,- tha Moisiu.