Qindra shqiptarë nga të gjitha trevat janë mbledhur në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë ku do të protestojnë për ish-krerët e UÇK-së që prej 5 vitesh mbahen në qeli në Hagë. Protesta me moton “Liria ka emër” do të nisë në orën 17:00. I gjithë sheshi është veshur nga flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së ndërsa në Tiranë nuk mungojnë as veteranët të cilët janë organizatorët e këtij tubimi.
Në Tiranë ka mbërritur edhe djali i ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi, i cili u pa në krah të deputetëve socialistë. Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet t’i bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së. Për mbarëvajtjen e protestës është bllokuar për 2 orë qarkullimi tek Bulevardi i Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, pasi do të parkohen mjetet e protestuesve.
Protesta që organizohet nga veteranët e UÇK-së përplasi në distancë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët nuk do të jenë në protestë. Ishte i pari Kurti që sulmoi Ramën duke përdorur llogarinë në facebook të partisë Lëvizja Vetëvendosje, ku thonte se Rama fluturoi me helikopter drejt Kosovës për t’i bindur palët që të votonin pro ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga ana tjetër, Rama i tha se Kurti do ta donte Hashim Thaçin për jetë në Hagë, ndërsa tha se refuzoi t’i bashkohet protestës për shkak të politizimit.
Veteranët dhe protestuesit kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, të cilët mbahen në Hagë që prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.






