Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Skoci për një fundjavë të zgjatur, ku do të kombinojë pushimet me aktivitetet diplomatike. Gjatë qëndrimit të tij, ai pritet të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në një prononcim për gazetarët pas mbërritje së aeroportin Prestwick, në jugperëndim të Glasgout, Trump konfirmoi takimin e tij me von der Leyen, duke theksuar se shanset për arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes SHBA-së dhe BE-së janë “50-50”, pasi mbeten ende 20 çështje të hapura për t’u zgjidhur.
Megjithatë, ai shtoi: “Do të jetë marrëveshja më e madhe nga të gjitha, nëse e realizojmë.”
Sa i përket takimit me kryeministrin britanik Starmer, Trump kujtoi se dy vendet tashmë kanë nënshkruar një marrëveshje tregtare, ndaj bisedimet e tyre do të fokusohen në çështje të tjera.
Në lidhje me mundësinë e një amnistie për Ghislaine Maxwell, ish-partneren dhe bashkëpunëtoren e Jeffrey Epstein, Trump tha shkurtimisht: “Nuk është momenti i duhur për ta diskutuar këtë temë.”
Pas aktiviteteve diplomatike, presidenti amerikan do të zhvendoset në Turnberry, ku ndodhet një nga dy fushat e golfit që i përkasin biznesit familjar të drejtuar nga djemtë e tij të mëdhenj.