Presidenti libanez, Joseph Aoun, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Francës, garantuesit e marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund luftës midis Izraelit dhe organizatës pro-iraniane Hezbollah, të “detyrojnë” Izraelin të “ndalojë menjëherë” sulmet e tij, pas sulmit të sotëm ajror në sektorin jugor të Bejrutit.
Sipas një deklarate presidenciale, Joseph Aoun “dënoi sulmin izraelit në sektorin jugor”, duke shtuar se SHBA dhe Franca, si garantues të marrëveshjes së armëpushimit, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe ta detyrojnë Izraelin të ndalojë menjëherë sulmet e tij.
“Veprimet e vazhdueshme të Izraelit për të minuar stabilitetin do të përkeqësojnë tensionet dhe do ta vënë rajonin në rrezik real, duke kërcënuar sigurinë dhe stabilitetin e tij”, tha presidenti libanez.
Ushtria izraelite goditi sot një depo të “raketave precize” të Hezbollahut në Bejrut, njoftoi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Me urdhër të kryeministrit Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Katz, ushtria goditi një magazinë në Bejrut ku Hezbollahu kishte ruajtur raketa precize, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm për shtetin e Izraelit”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit.
Një shpërthim kishte në shënjestër një ndërtesë në sektorin jugor të kryeqytetit libanez menjëherë pasi ushtria izraelite urdhëroi banorët të evakuonin zonën, raportuan më parë Reuters dhe Agence France-Presse.