Gjykata e Lartë është bërë me 10 anëtarë dhe kështu i hapet rrugë zgjedhjes 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga ky institucion. Me emërimin e sotëm nga Presidenti Ilir Met të gjyqtares Arbena Ahmeti, Gjykata e Lartë plotëson kështu kushtin ligjor për të pasur më shumë se gjysmën e anëtarëve të saj Tashmë Gjykata e Lartë mund të votojë për të zgjedhur anëtarët e Kushtetueses të cilët miratohen me tri të pestat e votave të pjesëmarrësve në votim, pra në rastin konkret duhet 6 vota pro.
“Presidenti i Republikës, në mbështetje të Kushtetutës, dhe me vullnetin që Gjykata e Lartë të jetë sa më shpejt plotësisht funksionale me të gjithë trupën e nevojshme të saj, i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vijojë punën me impenjim të plotë, të pandërprerë, me transparencë, me qëllim përfundimin pa vonesë të procedurave për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve”, ka shkruar Meta në mesazhin pas dekretimit të znj. Ahmeti.
Arbena Ahmeti, ish-gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, u miratua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ky vendim i KLGJ-së erdhi dy javë pasi Gjykata e Lartë konstatoi pamundësinë e thirrjes së mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm me 10 anëtarë.
Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar për dekretimin nga Presidenti Ilir Meta të anëtares së re Arbena Ahmeti në Gjykatën së Lartë.
‘Ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e sotëm të gjyqtarit të 10-të në Gjykatën e Lartë. Kjo rrit funksionalitetin e Gjykatës së Lartë, gjithashtu mundëson që Gjykata e Lartë të emërojë një gjyqtar për Gjykaten Kushtetuese’, – shkruan diplomatja në Twitter.