Integrimet euro-atlantike janë synimet e vetme për Kosovën. Kështu u shpreh presidentja Vjosa Osmani, sot në seancën plenare të Parlamentit Europian.
Kosova është Europë, të jesh kosovar do të thotë të jesh europian. Kosova është vendi më pro-europian në Ballkanin Perëndimor. Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i bëjnë ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi e barazi dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës e gjenocidit.
Duke folur për të drejtat që ofron Kosova për çdo qytetar, Osmani u bëri thirrje serbëve që të shfrytëzojnë të drejtat që përcakton Kushtetuta.
Republika e Kosovës është shtëpia juaj e do të bëjmë gjithçka që ju të përfshiheni e të dëgjoheni.
Duke përmendur një delegacion të Preshevës, që ishte i pranishëm në seancë, presidentja Osmani u shpreh:
Kosova është me ju, ju nuk jeni vetëm, ndërsa përballeni me shkelje të të drejtave të njeriut.
Kosova është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për ta mbështetur Ukrainën. Osmani tha se Kosova i ka trajnuar ukrainasit për të punuar në çminimin e territoreve, si dhe për ofrimin e mbështetjes ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale. Përmendi dhe mbështetjen e ofruar për gazetarët ukrainas.
Ne jemi të gatshëm të bëjmë më shumë. Mënyra më e mirë për t’i tejkaluar sfidat është përmes partneritetit e mosanëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE rrezikon dhe vetë Bllokun nga ndikimet e dëmshme. Kosova nuk është larg, por pjesë integrale e Europës.
Përgjatë fjalimit, kryetarja e shtetit nuk i komentoi tensionet e fundit në veri. Por, në fillim të seancës, presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola tha se BE-ja është e vetëdijshme për ndikimin që mund të kenë tensionet, ndaj veçoi nevojën urgjente për uljen e tyre.
Kosova vetëm përfiton nga BE-ja, kur ndërmerr masa për ulje të tensioneve.
Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaj dhe zhvillohet në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Europian janë në një fazë të vështirë.