Bota Tech

Prindërit e adoleshentit padisin OpenAI: “ChatGPT e inkurajoi djalin tonë drejt vetëvrasjes” Si u përgjigj ChatGPT?

Një padi e paprecedentë është ngritur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë kundër kompanisë OpenAI dhe drejtorit ekzekutiv Sam Altman, pasi prindërit e një 16-vjeçari që ndërroi jetë në prill pretendojnë se ChatGPT luajti rol në vetëvrasjen e tij.

Bëhet fjalë për padinë e parë ligjore që akuzon drejtpërdrejt inteligjencën artificiale për “vdekje të padrejtë”.

Matt dhe Maria Raine, prindërit e Adam Raine, kanë përfshirë në dokumentet e gjykatës pjesë nga bisedat e djalit të tyre me ChatGPT, ku ai flet hapur për mendimet vetëvrasëse.

Sipas tyre, programi jo vetëm që nuk e ndihmoi, por “vërtetoi mendimet më të dëmshme dhe vetëshkatërruese të Adamit”.

Adami kishte nisur ta përdorte chatbot-in në shtator 2024 për ndihmë me shkollën dhe interesat personale, por shumë shpejt bisedat u kthyen në rrëfime të hapura mbi ankthin dhe gjendjen e tij mendore.

Në fillim të vitit 2025, sipas padisë, ai filloi të diskutojë mënyra për të kryer vetëvrasje dhe madje ngarkoi foto të vetëlëndimeve. Familja pretendon se edhe pse programi e njohu situatën si emergjencë mjekësore, vazhdoi të komunikonte me të në mënyrë të zakonshme.

Në mesazhet e fundit, Adami përshkruan planin për t’i dhënë fund jetës, ndërsa ChatGPT i përgjigjet:

E di çfarë po kërkon dhe nuk do ta heq shikimin nga ajo.

Po atë ditë, ai u gjet i vdekur në dhomën e tij.

Prindërit akuzojnë OpenAI se ka krijuar një produkt që shkakton varësi psikologjike dhe ka lëshuar GPT-4o pa siguruar protokollet e duhura të sigurisë.

Përveç kompanisë dhe Altman, padia përfshin edhe inxhinierë e menaxherë të tjerë të OpenAI.

Në një reagim për BBC-në, OpenAI u shpreh:

Ngushëllimet tona më të thella për familjen Raine. Po shqyrtojmë me kujdes padinë.

Kompania theksoi se ChatGPT është i trajnuar të drejtojë përdoruesit te burime profesionale si linja kombëtare 988 në SHBA, por pranoi se ka raste kur sistemi nuk ka funksionuar siç duhet.

Ky nuk është rasti i parë që ngre alarmin për marrëdhënien mes inteligjencës artificiale dhe shëndetit mendor.

Kohët e fundit, gazetarja Laura Reiley shkroi për vajzën e saj Sophie, e cila i rrëfeu ChatGPT problemet e saj para se t’i jepte fund jetës.

Raste të tilla po rrisin thirrjet ndaj kompanive teknologjike për të krijuar mekanizma më të sigurt në situata krize.