Bota

Prindërit rrahën dhe droguan 18-vjeçaren për ta detyruar të martohej/Vajza shpëton si në filma!

Dy prindër u arrestuan nga karabinierët në Rimini të Italisë për detyrimin e vajzës së tyre 18 vjeçe që të pranonte një martesë të rregulluar në vendin e origjinës, Bangladesh, si edhe për mbylljen e saj në shtëpi, dhunimin e drogimin që iu bë.  Policia italiane ekzekutoi një urdhër arresti shtëpie për nënën, 42 vjeçe dhe babanë, 55, të dy shtetas të Bangladeshit e që banojnë në qytetin e vogël, në Romagna.

Mashtrimi i një udhëtimi në Bangladesh

Sipas hetimeve nga karabinierët në Rimini, vajza ka mbërritur në Itali në moshën 7 vjeçe. Në dhjetor, u mashtrua për të udhëtuar në Bangladesh. Duke përdorur justifikimin e vizitës te gjyshja e sëmurë, prindërit e saj kishin rregulluar një takim mes saj dhe një 27 vjeçari, me qëllimin që të lidheshin në martesë.

Vjedhja e dokumenteve dhe kartës së kreditit

E reja, e dashuruar me një italian 23-vjeçar, banor në Forlì, refuzonte vazhdimisht, por sapo mbërriti në Daka, të afërmit i morën dokumentet dhe kartën e kreditit. E monitoruar, e kërcënuar dhe e abuzuar, u detyrua të martohej me mblesëri dhe jeta e saj u përmbys plotësisht.

Merrte fshehurazi pilula kontraceptive

Gruaja e re, e detyruar të duronte abuzimin, kishte arritur të merrte fshehurazi pilula kontraceptive. Falë një shoqeje, ajo arriti të kontaktonte qendrën e këshillimit të Departamentit të Shëndetit të Grave dhe një vullnetar në një qendër kundër dhunës. Nëpërmjet tyre, arriti deri te policia italiane dhe zyra e prokurorit po në Itali. Një pikë kthese pozitive për vajzën erdhi kur duke marrë parasysh vështirësinë e saj për të mbetur shtatzënë, prindërit e saj ranë dakord të ktheheshin në Itali për një fare kohe.

Pasi zbarkoi në aeroportin e Bolonjës me prindërit, e reja u mor menjëherë nën kujdesin e karabinierëve dhe u dërgua në një vend të mbajtur të fshehtë. Ndërkaq, prindërit e saj u gjetën në banesë dhe u vunë në arrest shtëpie, në pritje të procedurave gjyqësore.