Health & Beauty Lifestyle

Ky vend ngre alarmin/Përdorimi i telefonit nga prindërit po ndikon te fëmijët!

Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi u ka bërë thirrje prindërve që të kufizojnë përdorimin e telefonave celularë kur kalojnë kohë me fëmijët e tyre, pas studimeve që tregojnë se zakonet dixhitale të të rriturve ndikojnë drejtpërdrejt tek fëmijët. Në udhëzimet e reja të publikuara të hënën, autoritetet rekomandojnë që prindërit të vendosin telefonin mënjanë gjatë kohës së kaluar me fëmijët dhe ta përdorin atë vetëm kur është e nevojshme ose kur aktiviteti kryhet së bashku me ta.

“Vendoseni telefonin larg kur jeni me fëmijën tuaj. Përdoreni vetëm kur është e nevojshme ose kur e përdorni së bashku”, thuhet në deklaratën e agjencisë. Sipas autoriteteve suedeze, të rriturit që krijojnë zakone të shëndetshme në përdorimin e ekraneve ndikojnë pozitivisht edhe në sjelljen e fëmijëve të tyre.

Agjencia rekomandon gjithashtu krijimin e zonave pa ekrane në shtëpi, si dhoma e gjumit apo tavolina e ngrënies, si dhe u bën thirrje prindërve të tregojnë kujdes për privatësinë e fëmijëve në internet, duke menduar mirë përpara publikimit të fotove apo videove të tyre. Qeveria suedeze kishte ngarkuar agjencinë shëndetësore në vjeshtën e kaluar të analizonte lidhjen mes shëndetit të fëmijëve dhe kohës që prindërit kalojnë para ekraneve. Studimi zbuloi se përdorimi i tepruar i telefonit nga prindërit mund të ndikojë negativisht në ndërveprimin me fëmijët dhe se fëmijët e përdoruesve të rëndë të ekraneve kanë tendencë të zhvillojnë të njëjtat zakone.

Ministri suedez i Çështjeve Sociale, Jakob Forssmed, deklaroi për transmetuesin publik SVT se shumë njerëz nuk e kuptojnë se sa i madh është ndikimi që përdorimi i ekranit ka tek fëmijët. Ndërkohë, studiuesja dhe psikiatrja Helena Frielingsdorf theksoi se fëmijët ndikohen jo vetëm nga ajo që thonë të rriturit, por edhe nga sjellja e tyre e përditshme. Suedia ka publikuar më herët udhëzime që kufizojnë kohën e ekranit për fëmijët jashtë aktiviteteve shkollore. Sipas tyre, fëmijët nën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen fare ndaj ekraneve, ata nga 2 deri në 5 vjeç jo më shumë se një orë në ditë, fëmijët 6-12 vjeç deri në dy orë, ndërsa adoleshentët 13-18 vjeç deri në tre orë në ditë.