Britney Spears është arrestuar në California pasi dyshohet se ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas raportimeve të Daily Mail, këngëtarja 44-vjeçare u ndalua nga autoritetet rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të mërkurës në zonën e Ventura County.
Të dhënat nga Zyra e Sherifit të Qarkut Ventura tregojnë se Spears u mbajt përkohësisht në paraburgim, por u lirua mëngjesin e së enjtes.
Ky incident vjen vetëm pak javë pasi artistja ishte fotografuar duke drejtuar SUV-in e saj Mercedes-Benz në Los Angeles, ndërsa mbante celularin pranë fytyrës.
Më 12 shkurt ajo u kap nga paparacët duke folur në telefon gjatë drejtimit të automjetit, një veprim që është i ndaluar sipas ligjit në Kaliforni.
Ngjarja ka tërhequr menjëherë vëmendjen e mediave dhe fansave të këngëtares, duke shtuar edhe një tjetër kapitull në serinë e polemikave që kanë shoqëruar jetën e saj personale vitet e fundit.