Rajoni

Procesi ndaj Thaçit në Hagë, diplomati amerikan Rubin në bankën e dëshmitarëve!

Procesi ndaj Hashim Thaçit në Hagë, diplomati amerikan James Rubin, i pari në bankën e dëshmitarëve të mbrojtjes. Në deklaratën e lexuar në fillim të dëshmisë nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Rubin tha se gjatë negociatave për paqen në Kosovë në vitin 1999, kishte ndërveprime të drejtpërdrejta me Thaçin dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së.

Rubin u angazhua nga sekretarja e atëhershme e Shtetit amerikan, Madeline Albright, për të mbështetur delegacionin shqiptar gjatë Konferencës së Rambujesë dhe më pas si i dërguar i posaçëm për të siguruar demobilizimin e UÇK-së.

Diplomati amerikan vuri në dukje se Thaçi kishte kufizime në autoritetin e tij, duke mos pasur mundësi të nënshkruante marrëveshjet pa miratimin e krahut ushtarak dhe nuk merrte pjesë në bisedimet teknike. Megjithatë, theksoi se që në fillim kishte shprehur dëshirën për një Kosovë demokratike, pa dhunë ndëretnike e të mbështetur nga vlerat perëndimore.

Gjithashtu sqaroi se në qershor të vitit 1999, sekretarja Albright u takua me Thaçin, Ibrahim Rugovën e Rexhep Qosjen, duke i nxitur ata të krijonin një strukturë të përbashkët në terren për të ndërtuar administratën civile, një hap ky që Rubin e interpretoi si një referencë të tërthortë për qeverinë e përkohshme të Kosovës.

Pierre Richard Prosper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sot ofrohet një mundësi për të zbuluar të vërtetën rreth ngjarjeve në Kosovë, në vitin 1999. Këto komente i bëri para fillimit të dëshmisë së parë të mbrojtjes nga James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit amerikan, i thirrur nga mbrojtja e Thaçit.

Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen në këtë proces. Jemi entuziastë për sot, sepse do të na jepet mundësia që të kthehemi në realitet e do të kemi një shans që ta riekzaminojmë të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i një procesi ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregojnë që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë, u shpreh ndër të tjera Prosper duke folur për gazetarët në Hagë.