Analisti i njohur, Arjan Curi, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka komentuar protestën që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit. Jo vetëm kaq, pasi ai foli edhe në lidhje me qëndrimin që mban kryeministri i vendit, Edi Rama.
Kjo protestë ka marrë jehonë të madhe edhe tek mediat e huaja dhe po promovohet shumë Shqipëria në këtë mënyrë, si e shpjegon këtë?
Është PR, sepse është flamingoja në mes, që është shumë e dashur për të huajt. Të huajt kanë një gjë, që kur vdesin njerëz nuk emocionohen, kurse kur rrezikohet një qen, një mace, apo një flamingo, janë shumë të ndjeshëm. Dhe bashkë me gjithë PR edhe të qeverisë, por edhe PR që bën protesta vetë, se protesta krijon shumë PR, gati-gati ka konkurruar edhe reality show-t në Shqipëri, bën atë që e gjithë bota të kthejë sytë nga ne.
Si e shikon këtë protestë?
Unë e shikoj si festë, celebrim demokracie, celebrim rinie, celebrim erosi, edhe emocionesh. Se aty ka inat, urrejtje, por të gjitha këto lodhen me dashurinë. Fakti që protesta “uron” Ramën me tre gërma të caktuara, bën që të tregojë që ka një dashuri edhe për të, sepse nuk ka urrejtje pa dashuri. Ti nuk mund të urresh dikë që nuk e ke dashur dikur.