Zbulohet ora se kur do të mbahet protesta e PD-së kundër vendimit të qeverisë lidhur me mbylljen e TikTok-ut. Mësohet se tubimi i thirrur për më 15 mars do të nisë para Kryeministrisë, në orën 19:00. Protesta u njoftua nga kryetari demokrat, Sali Berisha pas vendimit për të mbyllur aplikacionin në Shqipëri për 1 vit.
Për opozitën, mbyllja e TikTok-ut është në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut. Sipas PD-së, mbyllja e rrjetit social u bë pak përpara zgjedhjeve si një “akt censure”.
Akti i bllokimit të tij për faktin se me TikTok-un, të rinjtë po e kritikonin dhe e përqeshnin Edi Ramën është një akt brutal, është një intolerancë e tij ndaj mendimit ndryshe, deklaroi kryedemokrati Berisha.
Vendimi i marrë nga qeveria, më 6 mars u prezantua nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila tha se brenda 1 jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën TikTok për të gjithë përdoruesit shqiptarë.
Kufizim aksesi për një periudhë 12 mujore që do na lejojnë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok-ut. Eshtë vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve, të rinjve. Qëllimi final nuk është mbyllja e TikTok-ut, por vendosja e filtrave dhe për këtë kanë nisur komunikimet me përfaqësuesit e platformës kineze.
Vendimi në lidhje me mbylljen e TikTok-ut u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor të vitit 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale. Ditë më parë reagoi edhe kryeministri Edi Rama:
Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve.