Aktualitet Politikë

Protesta e opozitës në Tiranë, policia: Mos bllokoni rrugët!

Policia e Tiranës bën me dije se ka njoftuar Partinë Demokratike se në bazë të ligjit “Për Tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në Bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cënime të rendit publik e sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cënon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik e privat.

Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.

Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.