Aktualitet Politikë

Protesta e PD para Kryeministrisë, Berisha mban fjalim: Jemi sot para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar!

E ka nisur Sali Berisha fjalën i pari në protestën që po mbahet nga opozita para Kryeministrisë.

“Liria është si lumë që po guxove ta bllokosh, do të çajë një kanal. Jemi sot para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar. Para pallatit të krimit njerëzor të shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria, në vitet e qeverisjes, më shumë se çdo pushtues i egër i tërë historisë kombëtare. Para pallatit që me një krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zotëroi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Përpjekjet e opozitës për zgjedhje u përballën me tonelatat e eurove të drogës. U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve, terroristët e votës. U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narko-shtetit, vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është më i madhi nga krimet që kanë kryer. Nuk ka javë që përfaqëson ose paraqet më qartë fytyrën e urryer të narko-shtetit shqiptar”, tha Berisha.

Godina e kryeministrisë është blinduar, ndërsa në rrugët që të çojnë drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit ka kufizim të qarkullimit.

Foltorja para kryeministrisë pritet të vendoset 1 herë në javë. Protesta është e para që mbahet përballë zyrës së Edi Ramës, që pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Protesta, sipas demokratëve, nis për shkak të marrjes si e pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku, por motivi shkon edhe më tej: krijimi i një foltoreje paralele me atë Kuvendit për të diskutuar për çdo problem që refuzohet sipas tyre të diskutohet në hapësirën parlamentare.