Partia Demokratike po mban protestën e katërt kombëtare, duke u mbledhur përpara Kryeministrisë.
Në podium u ngjit edhe aktorja Rajmonda Bulku, e cila në fjalën e saj kujtoi 20 shkurtin e vitit 1991, duke thënë se fryma e studentëve të atëhershëm të kthehet edhe njëherë.
“Ju falënderoj që sot doni edhe nga unë një fjalë. Të them dhe të kujtoj atë ditë historike të 20 shkurtit 1991, kur ne ishim të gjithë bashkëngjitur me grevën heroike të studentëve tanë. Luftuam kundër një ushtrie që nuk duhet harruar që ishte Partia Komuniste në krye. Të gjithë bashkë, hoqëm frikën dhe morëm guximin tonë sepse donim lirinë tonë. Dua të kujtoj atë frymë dhe të sjellim këtu sot, atë dëshirë për të jetuar bukur në Shqipërinë tonë të bukur dhe ta bëjmë për fëmijët tanë, për nipërit tanë, sepse duhet të kenë mundësinë për të jetuar këtu. Zoti ka bekuar Shqipërinë, por Zoti bekoftë edhe shqiptarët”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se sot në Shqipëri, të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin.
“Në 20 shkurt u rrëzua monumenti i një njeriu që kishte mendua se ishte i përjetshëm. 35 vite më pas, jemi në shesh, jemi përballë një autokrati të rilindur. Sistemi i dikurshëm i dhunës është zëvendësuar me dhunën e korrupsionit, me diktaturën e korrupsionit.Pasojat e dhunës dhe korrupsionit janë dramatike. Sot Shqipëria është republikë kur të korruptuarit bëjnë ligje për të mbrojtur njëri-tjetrin. Kjo është ajo që Edi Rama ka ndërtuar. Një sistem dhe regjim që po largon shqiptarët. Për herë të parë në 35 vite, Shqipëria sot nuk prodhon më, ky sistem ka vrarë meritokracinë. Në sistemet autokratike, ekonomia është e para që falimenton. Kjo është beteja jonë, kjo nuk është betejë partiake, por për thelbin e Republikës, për Shqipërinë e qytetarëve, jo të klientëve, për drejtësinë e barabartë. Në këtë përvjetor duhet të jemi më të fortë se kurrë. Brenda forcave tona opozitare ka pasur gjëra që na kanë ndarë, por dot duhet ta shohim njëri-tjeetin dhe të themi se gjërat që na ndajnë, janë më të mëdha se ato që na bashkojnë. Nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë. Na duhet bashkim, vetëm bashkë mund ta kthejmë lirinë”, theksoi ajo.