Bota

Protestat kundër Erdogan, zbulohet fytyra e Pikachu-s!

Politika nuk ka qenë kurrë pikë e fortë për Hassan Taskan. “Nuk jam marrë me politikë, nuk jam interesuar asnjëherë”-thotë 21-vjeçari nga Antalia. Ai është më i magjepsur nga palestra, heronjtë e librave komikë dhe videot humoristike në rrjetet sociale. Më shumë se 120,000 veta e ndjekin në Instagram por askush nuk e dinte që ishte pikërisht Hassan, personi, që i maskuar si Pikachu vraponte për t’i shpëtuar policisë në rrugët e Antalias, gjatë protestave kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Tashkenti mori të gjithë vëmendjen gjatë protestave në mbështetje të kryebashkiakut të arrestuar të Stambollit, Ekrem Imamoglou, i cili ndodhet në paraburgim nën akuza për korrupsion dhe mbështetje të terrorizmit. Arrestimi i Imamoglu u pa si një lëvizje e Erdogan për të hequr qafe kundërshtarin e tij të vetëm serioz në prag të zgjedhjeve presidenciale. Turqia ka qenë në trazira që atëherë. Qindra mijëra qytetarë dalin në rrugë çdo ditë, me autoritetet duke bërë të paktën 2000 arrestime. Influencueri u bë krejt papritur një simbol i rezistencës turke.

Kjo ndodhi pas një video të publikuar në rrjetet sociale të dielën e kaluar, nga një demonstratë në Antalia. Mes protestuesve, një Pikachu gjigand shihet duke ecur në rrugë. Pikachu ndjek turmën e në të tjera raste shihet duke vrapuar prej policisë. Brenda maskës gjigande ishte as më shumë e as më pak, por i riu Hasan Taskan. Duke folur për revistën Der Spiegel, 21-vjeçari turk shpjegon se fillimisht i ka ndjekur protestat nga larg. “Ngjarjet po ecnin me shpejtësi, mediat sociale u mbushën me video dhe të gjithë miqtë e mi ishin jashtëzakonisht të shqetësuar”-thotë ai. Në ditën e tetë të protestave, ai vendosi të ndërhyjë në mënyrën e tij. “Doja të zbutja disi atmosferën. Kështu që vendosa të maskohem dhe të kaloj nëpër turmë.”

Taskan tha se qëllimi i tij ishte t’i bënte njerëzit të qeshin. Nuk ishte hera e tij e parë. Filloi me një kostum dinosauri, më pas erdhi një alien dhe më në fund, Pikachu. Ai e zgjodhi figurën e Pikachu, sepse ai është “shumë i ëmbël, shumë i njohur dhe ndoshta më i famshmi”.