Aktualitet

Protestë në mbështetje të SPAK-ut!

Partitë e reja politike, sot zhvilluan një tubim para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në mbështetjet të organeve të reja të drejtësisë. Kryetari i partisë “Shqipëria bëhet” Adriatik Lapaj, në fjalën e mbajtur, tha se “ka një aleancë të ndyrë politike kundër drejtësisë”. Lapaj theksoi se njerëzit e ligjit nuk do të lihen vetëm.

Ne i japim kurajo çdo njeriu të ligjit që shoqëria nuk i lë vetëm. Duhet të ndërtojmë një shtet, ku njerëzit të përballen me ligjet. As nuk linçohen njerëzit, por as nuk linçohet drejtësia. Në çdo rast duhet që njerëzit të përballen me institucionin. Duhet të ndërtojmë institucione. Nuk mundet që institucionin ta sulmosh kaq egër.

Nga ana tjetër, kryetari i Nismës “Thurje”, Endri Shabani, në fjalën e tij se Prokuroria e Posaçme ka mbështetjen e popullit shqiptar.

Jemi këtu për të mbështetur SPAK-un. SPAK ka mbështetjen e popullit shqiptar. Kushdo që vjedh popullin shqiptar e ka vendin te burgu 313, te burgu i Durrësit, te burgu i Elbasanit. Askush mos të synojë politikën për të vjedhur popullin shqiptar.