Paratë që emigrantët sjellin te familjet e tyre në Shqipëri kanë arritur një nivel rekord në vitin 2024, duke e kaluar për herë të parë kufirin e 1 miliardë eurove. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave, del se të ardhurat nga emigrantët ishin 1.05 miliardë lekë më 2024-ën, me rritje prej 12.5% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Që nga 2013-ta, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015. Të dhëna të tjera të Eurostat-it tregojnë se ritmet e emigracionit të shtetasve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian janë përshpejtuar vitet e fundit dhe kjo reflektohet në numrin e lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna nga shtetet e BE-së. Në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e Unionit. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të pare.
Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-ta, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë. Në vitet 2022-2023 janë dhënë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë se dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.
Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë. I gjithe ky fluks i ri të ikurish është reflektuar në zgjatjen e ciklit të emigracionit. Vlerësohet se në 10-15 vjet, lidhjet me vendin amë fillojnë e zbehen, teksa emigrantët krijojnë një jetë të re, në shtetin ku kanë emigruar. Kjo ndodhi me valën e parë të emigracionit të pas viteve ’90 e që çoi në një rënie të prurjeve pas 2008-ës.
Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e treguesit të remitancave eshtë dhe ekonomia informale. Prurjet e emigrantëve llogariten nga Banka e Shqipërisë si një zë në total që mbulon të hyrat e ndryshme në bilancin e pagesave, që mund të jetë formal apo jo formal e si rrjedhojë, këtu mund të përfshihet edhe ajo pjesë e parasë informale që hyn nga burime jo të ligjshme e hidhet në ekonomi, si në ndërtim apo blerje pasurish të paluajtshme në bregdet./Monitor