Një operacion shpëtimi u zhvillua në mëngjes në ujërat pranë Vlorës, ku Policia Kufitare iu shkoi në ndihmë 11 emigrantëve të paligjshëm, pasi mjeti lundrues ku udhëtonin pësoi defekt në det.
Sipas informacioneve paraprake, ata po lundronin me një gomone, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kur mjeti pësoi avari rreth tetë milje larg grykëderdhjes së lumit Vjosë.
Pas marrjes së sinjalit për ndihmë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë, duke lokalizuar gomonen dhe evakuuar në mënyrë të sigurt të gjithë personat në bord.
Bëhet fjalë për pesë shtetas nga Bangladeshi, tre nga Pakistani, një nga Libia, një nga Afganistani dhe një nga Haiti.
Pas operacionit të shpëtimit, emigrantët u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Vlorë, për t’u marrë në pyetje, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, si dhe itinerarin e ndjekur për të tentuar kalimin e paligjshëm të kufirit.