Aktualitet

Banka e Shqipërisë përgatit projektligjin e ri për sistemin e pagesave!

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektligj të ri për “Për sistemin e pagesave dhe kolateralin financiar ”. Drafti është pjesë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me kuadrin e Bashkimit Europian në fushën e sistemeve të pagesave, tregjeve financiare dhe stabilitetit financiar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, projektligji parashikon krijimin e një kuadri të ri, të plotë dhe të konsoliduar ligjor për funksionimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen juridike të sistemeve të pagesave dhe të sistemeve të shlyerjes së letrave me vlerë.

Në të njëjtën kohë, garanton sigurinë dhe efikasitetin e ofrimit dhe përdorimit të kolateralit financiar, si dhe mbrojtjen e të drejtave të palëve në marrëveshjen e kolateralit financiar nëse njëra prej palëve i nënshtrohet procedurave të likuidimit. Ai do të shfuqizojë dispozitat ekzistuese që rregullojnë finalitetin e shlyerjes dhe kolateralin financiar, duke synuar një rregullim më të qartë, më të unifikuar e më efikas.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, kuadri aktual ligjor, ndonëse ka shërbyer si bazë për funksionimin e sistemeve të pagesave dhe për mbrojtjen e parimit të finalitetit të shlyerjes, paraqet mangësi strukturore dhe thelbësore, që pengojnë harmonizimin e plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe cenojnë zhvillimin e sigurt dhe efikas të tregut financiar shqiptar.

Legjislacioni ekzistues nuk reflekton plotësisht evolucionin e kuadrit rregullator europian në fushën e infrastrukturave financiare dhe nuk garanton nivelin e kërkuar të sigurisë juridike për pjesëmarrësit në treg. Mungesa e instrumenteve të caktuara juridike krijon paqartësi në zbatim, rrit ekspozimin ndaj rreziqeve sistemike dhe kufizon aftësinë e autoriteteve për të ushtruar mbikëqyrje efektive.

Në mënyrë të veçantë, mosparashikimi i mekanizmit të njohjes (“designation”) të sistemeve që përfitojnë mbrojtje nga finaliteti i shlyerjes përbën një boshllëk të rëndësishëm ligjor.

Ky mekanizëm është thelbësor në kuadër të legjislacionit të Bashkimit Europian dhe përbën një standard bazë për garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes. Po ashtu, legjislacioni aktual nuk rregullon në mënyrë të plotë dhe të qartë një sërë elementesh thelbësore, të cilat konsiderohen të domosdoshme për funksionimin e një infrastrukture moderne financiare.

Konkretisht, mungojnë procedura të qarta dhe të standardizuara për njohjen e sistemeve që përfitojnë mbrojtje nga finaliteti i shlyerjes; nuk parashikohen mekanizma të qartë për komunikimin dhe njoftimin me autoritetet kompetente të Bashkimit Europian, në kundërshtim me kërkesat e bashkëpunimit ndërinstitucional;

nuk ekziston një kuadër i plotë juridik për trajtimin e sistemeve ndërlidhura, çka kufizon zhvillimin dhe integrimin e infrastrukturave të tregut; trajtimi i “credit claims” si formë e kolateralit financiar mbetet i papërcaktuar, duke kufizuar përdorimin e instrumenteve bashkëkohore të menaxhimit të rrezikut;

mungon një rregullim i qartë për koordinimin dhe trajtimin juridik në rastet e procedurave ndërkufitare të paaftësisë paguese, duke krijuar pasiguri në zbatim dhe rrezik për konflikt normash.

Për rrjedhojë, sipas relacionit, miratimi i këtij projektligji paraqitet jo vetëm si një nevojë teknike për përmirësimin e kuadrit ligjor, por si një domosdoshmëri thelbësore për garantimin e stabilitetit financiar, forcimin e besimit në tregjet financiare dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit europian të Republikës së Shqipërisë.

Sipas relacionit, projektligji sjell zgjerimi të përdorimit të instrumenteve financiare, përmes njohjes ligjore të pretendimeve kreditore (credit claims) si formë e re dhe e pranuar e kolateralit financiar dhe përmirëson kuadrin e përgjithshëm për marrëveshjet e kolateralit financiar./Monitor