Një trend i ri po formësohet në mënyrë të qartë në tregun global të punës. Gjithnjë e më shumë të rinj po refuzojnë oraret tradicionale të punës “9 deri në 5”, duke zgjedhur në vend të tyre rrugë më fleksibël, të pavarura dhe të personalizuara. Sipas një studimi të fundit të Deloitte Global 2025:
Mbi 60% e të rinjve në moshën 20–30 vjeç po kërkojnë mënyra alternative për të fituar të ardhura, që nga freelancing e deri te krijimi i përmbajtjes në platformat sociale.
Kjo nuk është thjesht një modë kalimtare. Psikologët thonë se:
Pas pandemisë, prioritetet e brezit Z kanë ndryshuar thellësisht. Ata kërkojnë më shumë kohë për veten, për udhëtime, për shëndetin mendor dhe për të punuar për diçka me kuptim. Ndjenja e lirisë është kthyer në një vlerë kyçe. Edhe mënyra si e perceptojnë suksesin është ndryshe, nuk matet më me pozita hierarkike, por me balancën jetë/punë dhe ndjenjën e përmbushjes.
Nga ana tjetër, kompanitë e mëdha po e kuptojnë këtë prirje dhe po përshtaten. Shumë prej tyre po eksperimentojnë me punën nga kudo, me orare hibride dhe kontrata fleksibël. Një shembull është Shopify, që hoqi strukturën tradicionale të menaxhimit dhe vendosi një model pune pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, kjo zhvendosje sjell edhe sfida. Mungesa e sigurisë financiare, presioni i vazhdueshëm për të qenë i dukshëm online dhe mungesa e kufijve mes punës dhe jetës personale janë ndër sfidat më të mëdha që po përjetojnë këta profesionistë të pavarur. E ardhmja e punës duket se do të jetë gjithnjë e më personale. Dhe ndoshta, pyetja më e rëndësishme që do të bëjmë më shpesh do të jetë:
A ndihesh i lirë me atë që bën?