Lifestyle

Pse gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po vendosin të divorcohen?

Sipas të dhënave të publikuara nga The Telegraph, sot pothuajse gjysma e divorceve nisin nga gra në moshë të mesme dhe 56 për qind e tyre thonë se do ta ndërprisnin martesën nëse janë të palumtura. Raporti Beyond the Break tregon se gjithnjë e më shumë gra kërkojnë divorc sepse, siç shprehen ato, “u ka ardhur në majë të hundës”. 64 për qind e grave deklaruan se shkaku i divorcit nuk ishte tradhtia, 23 për qind thanë se nuk ndjenin më dashuri për bashkëshortin, 11 për qind u shprehën se nuk donin ta kalonin pjesën tjetër të jetës me një burrë që ishte bërë emocionalisht i largët.

Shumë burra e përjetojnë divorcin si një vendim të papritur. Por psikoterapistja Susie Masterson thekson se gratë shpesh shprehin pakënaqësinë e tyre për vite me radhë, thjesht pa u marrë seriozisht. Studimet tregojnë se burrat e martuar janë mesatarisht më të lumtur, sepse nevojat e tyre emocionale dhe praktike plotësohen më shpesh brenda martesës. Ndërkohë, gratë shpesh mbajnë barrën më të madhe të punëve shtëpiake, kujdesit për fëmijët, organizimit të jetës familjare dhe menaxhimit emocional të marrëdhënieve. Kjo krijon një lodhje të heshtur që shpesh mbetet e padukshme.

Sot, gjithnjë e më shumë gra në moshë të mesme po e shohin divorcin jo si dështim, por si mundësi për një fillim të ri. Shumë prej tyre kanë karrierë të tyren, pavarësi financiare dhe një vetëdije më të fortë për nevojat e tyre emocionale. Kjo i bën më të guximshme për të thënë: “Nuk dua të jetoj e pakënaqur vetëm sepse kështu është zakoni.”

Sipas raportit 71 për qind e grave thanë se nuk kanë frikë të jetojnë vetëm. Megjithatë, 49 për qind e grave të divorcuara raportuan probleme me shëndetin mendor, si ankth dhe depresion. Vështirësitë financiare mbeten shqetësimi më i madh pas divorcit. Pavarësisht këtyre sfidave, 76 për qind e grave të divorcuara deklaruan se nuk pendohen për vendimin e tyre dhe do ta përsërisnin nëse një  martesë tjetër do të rezultonte e pasuksesshme.

Avokatja familjare Ellie Foster përfundon:

Për shumë gra, dekada të tëra kanë qenë të përqendruara te kujdesi për të tjerët. Tani ato po zgjedhin veten. Ekziston një lloj lirie e ëmbël në momentin kur më në fund mund të mendojnë për dëshirat e tyre. Shumë pak nga klientet e mia flasin për dëshirën për një partner të ri. Përkundrazi, shumica thonë: ‘Kurrë më’.