Health & Beauty

Pse kafeja e zezë konsiderohet aleate e shëndetit?

Kafeja e zezë është një nga pijet më të preferuara në botë dhe shumë njerëz e konsumojnë çdo ditë për energji dhe përqendrim. Ndryshe nga kafja me qumësht apo sheqer, ajo përmban shumë pak kalori dhe ruan të paprekur antioksidantët natyralë. Përveç shijes së fortë dhe efektit stimulues, studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi i moderuar i kafesë së zezë mund të sjellë disa përfitime të rëndësishme për organizmin.

Një nga përfitimet më të përmendura lidhet me uljen e rrezikut të disa llojeve të kancerit. Studiuesit besojnë se antioksidantët që gjenden në kafe ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira. Disa kërkime kanë lidhur konsumimin e kafesë së zezë me një rrezik më të ulët të kancerit të mëlçisë, gjirit dhe zorrës së trashë.

Gjithashtu, kafeja e zezë mund të ndihmojë në mbrojtjen e mëlçisë. Sipas studimeve, personat që konsumojnë rregullisht kafe kanë më pak gjasa të zhvillojnë cirrozë, sidomos atë të lidhur me konsumimin e alkoolit. Mendohet se përbërësit aktivë të kafesë ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe mbrojnë funksionin e mëlçisë me kalimin e kohës.

Një tjetër benefit i rëndësishëm është ulja e rrezikut të diabetit të tipit 2. Kafeina dhe acidi klorogjenik mund të ndikojnë pozitivisht në mënyrën si organizmi kontrollon nivelin e sheqerit në gjak. Studimet kanë treguar se njerëzit që pinë kafe rregullisht kanë më pak gjasa të preken nga kjo sëmundje metabolike. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që kafeja të konsumohet me masë, pasi sasitë e tepërta mund të shkaktojnë pagjumësi, nervozizëm dhe probleme me tensionin.