Love & Sex

Pse na “pushtojnë” kujtimet e bukura pas ndarjes? Çfarë thonë ekspertët për atë që ndjejmë vërtet?

Jo çdo lidhje është e destinuar të zgjasë, por pothuajse çdo ndarje lë pas një “mamurllëk emocional”: pendim, nostalgji dhe rikthim pa fund te kujtimet e bukura.

Psikologët e quajnë këtë fazë “hangover pas ndarjes”, periudha kur truri kapet fort pas momenteve të mira dhe na bën të dyshojmë nëse kemi bërë zgjedhjen e duhur.

Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kemi gabuar ose se duhet t’i kthehemi ish-partnerit.

Truri i njeriut reagon me dhimbje ndaj çdo humbjeje, edhe kur jemi vetë ne që kemi vendosur ta mbyllim një raport.

Nostalgjia dhe malli janë pjesë normale e procesit, dhe shpesh mund të kthehen në nxitës të rritjes personale.

Shpesh njerëzit ndahen sepse në atë moment i mundon diçka, e pastaj fillojnë të kujtojnë vetëm pjesët e bukura të marrëdhënies dhe ndjejnë trishtim

-shpjegon neuroshkencëtarja Alexandra Stratyner nga New York-u.

Por kjo nuk do të thotë patjetër se duan sërish pikërisht atë person, ndonjëherë u mungon thjesht ndjesia e afërsisë.

Prandaj, sipas saj, hapi i parë pas ndarjes është pauza dhe sinqeriteti me veten: nga vjen ky pendim, çfarë po na mungon realisht  personi, lidhja, apo vetmia që na frikëson? Vetëm nëse emocionet mbeten të forta edhe pas një reflektimi të qetë, dhe nëse jemi të gatshëm të lëmë pas problemet që nuk funksionuan, mund të ketë kuptim të mendojmë për një kontakt të ri.

Psikologët theksojnë se, përpara çdo tentative për t’u rikthyer, duhet të “shërojmë” marrëdhënien me veten: të kuptojmë nevojat tona, gabimet, kufijtë dhe modelin tonë në dashuri.

Edhe kur nuk ka rikthim, ky proces ndihmon që lidhja e radhës të jetë më e shëndetshme dhe më e ndërgjegjshme.

Ekspertët japin disa udhëzime kryesore:

– të jemi kureshtarë ndaj vetes dhe vendimit që morëm,

– të bëjmë një “inventar emocional” të marrëdhënies pa fajësime,

– të mos e ndëshkojmë veten për pendimin, sepse është reagim normal,

– të analizojmë modelet tona të lidhjes (ankth, frikë nga braktisja, impulsivitet),

– dhe, mbi të gjitha, ta kthejmë energjinë e dhimbjes në zhvillim personal, jo vetëm në rikthim tek e shkuara.

Nëse ndjeni se historia nuk është mbyllur, mund të kërkoni një bisedë të fundit me ish-partnerin, por vetëm me kufij të qartë dhe respekt për përgjigjen e tjetrit, qoftë “po” apo “jo”.

Në rast se kjo nuk është e mundur, ekspertët sugjerojnë të shkruani një letër që nuk keni pse ta dërgoni: ajo ndihmon të përmblidhni çfarë keni mësuar dhe çfarë kërkoni në një raport të ardhshëm.

Sepse, në fund të fundit, jo çdo pendim do të thotë kthim pas, shpesh do të thotë se jeni gati të ecni përpara më të vetëdijshëm.