Tech Top Tech - News

Pse shtetet po garojnë për t’u bërë zot të qiellit në industrinë hapësinore?!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Duket se investitorët janë lodhur nga startup-et që bëjnë “aplikacione për qentë që bëjnë joga” dhe po kthejnë sytë… nga hapësira. Po, hapësira, aty ku një kafe kushton 50 mijë dollarë për shkak të gravitetit. Sipas raportit të Seraphim Space, në tremujorin e fundit janë dhënë 3.5 miliardë dollarë në kompani që merren me raketa, satelitë dhe gjithçka që fluturon më lart se droni i komshiut.

Krahasuar me vitin e kaluar, investimet janë dyfishuar, dhe për herë të parë, nuk janë vetëm gjigantët si SpaceX që marrin gjithë vëmendjen. Tani tregu është bërë më “demokratik” – më shumë startup-e, më shumë ide të çmendura, më shumë njerëz që përpiqen të dërgojnë pica në orbitë për “testim”.

Pse po ndodh kjo? Sepse shtetet po garojnë për t’u bërë zot të qiellit. Amerika, Kina, Europa – të gjithë po fusin miliarda për të ndërtuar industri hapësinore që mund të përdoren edhe për mbrojtje. Ose si ta themi ndryshe: “Nëse s’mund ta kontrollosh Tokën, provo me Marsin.”

Ndërkohë, kompanitë që merren me satelitë për internet, zbulim toke, apo komunikime po ecin si raketa (fjalë për fjalë). Disa kanë trefishuar vlerën e aksioneve, të tjera po mbledhin fonde si të ishte një konkurs kush e dërgon më shpejt sinjalin nga telefoni në orbitë.

Në thelb, hapësira është bërë startup-i më i madh në botë. Ka rrezik, ka çmenduri, por edhe potencial që mund të bëjë çdo investitor të ndihet si Elon Musk për 10 minuta. Dhe me ritmin që po ecën, shumë shpejt fjalitë “po fluturoj në punë” mund të mos jenë më metafora.