Tech Top Tech - News

Viti 2026 nisi me alarme të forta kibernetike në mbarë botën/ Luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me armë, por edhe me…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Në vitin 2026, duket se hakerat kanë vendosur të mos bëjnë pushime. Ndërsa ne mundohemi të mbajmë mend fjalëkalimin e Wi-Fi-t, dikush në anën tjetër të botës po përpiqet të hyjë në sisteme që kontrollojnë energjinë, ujin, spitalet dhe miliona të dhëna personale. Po, mirë se vini në sezonin e ri të serialit “Çfarë u hakua këtë herë?”.

Vetëm gjatë muajve të parë të vitit, janë raportuar disa nga sulmet kibernetike më të mëdha të viteve të fundit. Në Shtetet e Bashkuara ka pasur shqetësime për ekspozimin e të dhënave të miliona qytetarëve. Në Europë, sulmet ndaj sistemeve të ujit dhe energjisë kanë ngritur alarmin se luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanqe, por edhe me tastiera dhe internet. Ndërkohë, një kompani e madhe teknologjike në sektorin e arsimit u godit aq rëndë sa miliona studentë rrezikuan të humbisnin aksesin në provime. Imagjinoni të mos hyni dot në test sepse një haker vendosi të zgjohej me energji atë mëngjes. Ka munguar vetëm mesazhi: “Provimi juaj është shtyrë për arsye kreative.”

Por lajmi më interesant është se objektiv nuk janë më vetëm bankat apo kompanitë teknologjike. Tashmë hakerët po synojnë gjithçka: nga robotët pastrues deri te sistemet qeveritare dhe dokumentet personale. Ekspertët paralajmërojnë se sa më shumë shërbime të kalojnë online, aq më të vlefshme bëhen të dhënat tona. Me pak fjalë, pasaporta juaj dixhitale po trajtohet me më shumë interes sesa profili juaj në rrjetet sociale. Prandaj, nëse ende përdorni passwordin “123456”, ky është momenti i duhur për ta ndryshuar. Sepse në vitin 2026, duket se hakerët po punojnë më shumë se shumica prej nesh.