Tech Top Tech - News

Samsung, NATO dhe organizata të tjera po testojnë AI për mbrojtje kibernetike sepse…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Deri dje kishim frikë se inteligjenca artificiale do të na zëvendësonte në punë. Sot lajmi është edhe më interesant: tani po e vendosin të ruajë rrjetet e elektricitetit, sistemet e ujit dhe infrastrukturën kritike të vendeve të tëra. Kompania Anthropic ka zgjeruar projektin e saj të sigurisë kibernetike në më shumë se 15 shtete dhe rreth 150 organizata të rëndësishme në mbarë botën. Në qendër të gjithçkaje ndodhet Claude Mythos, një model inteligjence artificiale që është trajnuar për të gjetur dobësi të fshehura në programe dhe sisteme kompjuterike para se t’i zbulojnë hakerat.

Sipas Anthropic, një sulm i suksesshëm ndaj disa prej këtyre sistemeve mund të prekë mbi 100 milionë persona. Prandaj projekti po shtrihet në sektorë si energjia, uji, shëndeti dhe teknologjia. Në listën e organizatave që raportohet se po testojnë këtë teknologji përfshihen emra të mëdhenj si Samsung, NATO dhe agjenci të sigurisë kibernetike në Europë. Po, kemi arritur në pikën ku inteligjenca artificiale po kontrollon nëse dikush po përpiqet të futet në sistemet që kontrollojnë botën moderne.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, gara sapo ka filluar. Pas Anthropic, edhe OpenAI ka prezantuar modelin e vet të fokusuar te siguria kibernetike. Të paktën dikush po mendon për sigurinë.