Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
A ju ka ndodhur ndonjëherë të shihni një video interesante në Instagram, pastaj të kaloni te videoja tjetër, pastaj te tjetra, dhe pas pesë minutash të mos mbani mend as emrin tuaj? Mos u shqetësoni. Nuk jeni vetëm. Edhe Meta duket se e ka kuptuar këtë problem. Kompania ka nisur testimin e një funksioni të ri të quajtur “Series”, që do t’i lejojë content creators të organizojnë Reels-at në formën e episodeve, si një mini-serial brenda Instagramit dhe Facebook-ut.
Me pak fjalë, nëse dikush publikon “10 ditë për të mësuar fotografi”, “30 ditë transformim në palestër” apo “Si të mos harxhosh gjithë rrogën në ditën e parë”, të gjitha videot do të lidhen së bashku në një seri të vetme. Meta po largohet pak nga filozofia klasike e “scroll, harro dhe vazhdo” dhe po tenton të krijojë zakone më të forta shikimi. Sepse duket se nuk mjafton më të të mbajnë 20 sekonda në ekran. Tani duan të të kthejnë nesër, pasnesër dhe javën tjetër. Kur një përdorues gjen një episod gjatë scrolling në Reels, mund të hyjë direkt në të gjithë serinë, të shohë episodet me radhë dhe të vazhdojë aty ku e la.
Pra, përgatituni. Instagrami mund të mos jetë vetëm vendi ku shihni video me mace dhe receta që nuk do t’i provoni kurrë. Së shpejti mund të bëhet edhe platforma ku ndiqni seriale… vetëm se këtë herë protagonisti është influenceri i lagjes.