Lifestyle

Pse shumica e gjeneratës së re po zgjedh të mos bëjë asgjë?

Në rrjetet sociale po qarkullon një term i ri: “Bed Rotting”, që nënkupton qëllimisht kalimin e orëve, ndonjëherë edhe të tërë ditës, në shtrat, pa bërë asgjë produktive. Edhe pse mund të duket si dembelizëm, ky fenomen nuk ka të bëjë vetëm me përtacinë, por është kthyer në një mënyrë të re reagimi ndaj presionit të vazhdueshëm për performancë. Përdoruesit në TikTok, sidomos në mesin e gjeneratës Z, flasin për këtë si një akt rebelimi kundër “grind culture”, kultura që glorifikon punën pa ndalim, punët dytësore, vetë-përmirësimin dhe suksesin e vazhdueshëm.

Pse ndodh ky fenomen?

Studiues të shëndetit mendor e lidhin atë me:

  • Stresin e lartë kronik
  • Lodhjen mendore dhe fizike nga pritshmëritë e shoqërisë
  • Burnout-in e fshehur, sidomos tek të rinjtë që punojnë me teknologji ose media sociale
  • Nevojën për “pushim pa ndjenja faji”, që është bërë gjithnjë e më e rrallë

A është e shëndetshme?

Nëse praktikohet për pak orë apo një ditë, mund të jetë një formë pasive e vetëkujdesit, një rikthim tek vetja, pa ndërprerje, pa presion për produktivitet. Por nëse vazhdon për ditë të tëra dhe shoqërohet me ndjenja boshllëku, izolimi apo humbje motivimi, atëherë mund të jetë një shenjë e hershme e depresionit dhe duhet trajtuar me kujdes.

Zgjidhja?

Psikologët rekomandojnë:

  • Mos fajëso veten për nevojën për pushim të thellë
  • Shndërro “bed rotting” në një ritual me vetëdije p.sh., me muzikë të qetë, ditar, libra ose thjesht heshtje
  • Shiko nëse është thjesht një nevojë momentale për shkëputje apo simptomë e një cikli emocional më të gjatë

Në një kohë kur çdo orë duhet “justifikuar”, të mos bësh asgjë është bërë akti më radikal i mirëqenies. Por edhe kjo kërkon balancë. Sepse ndonjëherë, shtrati është streha që na rikthen energjinë, por nuk duhet të bëhet strofull e izolimit.