Aktualitet

Punimet në aksin Shirokë-Zogaj përfundojnë në maj!

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi punimet në segmentin rrugor Shirokë-Zogaj. Duke e konsideruar projekt i rëndësishëm për zhvillimin e zonës, ministri theksoi se ky aks, me gjatësi rreth 6.5 kilometra do të lidhë ofertat turistike të zonës së Shirokës dhe Shkodër me pjesën përkatëse të Mali i Zi, duke krijuar një korridor të ri për vizitorët dhe bizneset.

Gjatë inspektimit, Karakaçi vlerësoi se investimet në këtë zonë do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit, veçanërisht në fshatrat Zogaj e Shirokë. Ai bëri të ditur se në një fazë të dytë do të ketë ndërhyrje të posaçme në Zogaj, me synimin për ta kthyer në një destinacion të mirëfilltë turistik.

Ministri nënvizoi gjithashtu se punimet janë të kombinuara me projekte të tjera infrastrukturore, si ujësjellësi, kanalizimet dhe rrjeti energjetik 20 kilovoltësh, duke synuar përmirësimin e përgjithshëm të kushteve për banorët dhe turistët.

Ky aks që po kalojmë, është pjesë e një lidhje shumë të rëndësishme turistike mes pjesës së Shirokës me pjesën e Zogajt. Investimi që ka bërë qeveria pak vite më parë në Shirokë i ka dhënë një gjallëri dhe stimulim turizmit. E njëjta gjë do ndodh dhe me Zogajn. Punimet janë të kombinuara. Kemi dhe projektin e ujësjellësit në Shirokë, kanalizimeve në Shirokë e Zogaj dhe rrjetin 20 kilovotësh.

Sipas ministrit, ky është vetëm fillimi i një pakete më të gjerë investimesh që përfshin ndërhyrje në aksin e Velipojës, hyrjen e qytetit të Shkodrës dhe rijetëzimin e zonës së Bunës, si dhe projekte në Malësi të Madhe.

Ky është vetëm fillimi. Do të kemi investime infrastrukturore në aksin e Velipojës, në hyrje të Shkodrës, rijetëzim të pjesës së Bunës duke krijuar një pjesë më të aksesueshme për turistët dhe duke përfshirë dhe investimet deri në Malësi të Madhe, deklaroi ministri.

Karakaçi u shpreh se punimet janë drejt përfundimit dhe synohet që aksi të jetë gati në mesin e muajit maj, në kohë për sezonin turistik veror.

Kjo është një paketë e tërë investimesh të rëndësishme dhe qenësishme për qarkun e Shkodrës dhe veriun e po japin frytet e veta në zhvillimin turistik të këtij maji.

Ne synojmë që në mes të majit, në sezonin turistik të ketë mbaruar ky aks. Jemi drejt mbylljeve të fundit.