Kremlini i quan “alarmante” komentet e presidentit amerikan Joe Biden se “Vladimir Putin nuk duhet të qëndrojë në pushtet”. Ndërkohë, sot është dita e 33-të e luftës në Ukrainë dhe ushtria ukrainase sinjalizon tërheqjen e trupave ruse që rrethonin Kievin, për shkak të humbjeve të pësuara në radhët e tyre.
Nesër dhe të mërkurën, delegacionet ukrainase e ruse takohen në Stamboll të Turqisë për negociatat e radhës, me shpresën se do të shënohet përparim. Kryediplomati rus, Lavrov u shpreh kundër një takimi të shpejtë mes presidentëve Putin e Zelensky, të cilin nuk e konsideron “efikas” në këto momente.
Në një tjetër zhvillim, presidenti rus Putin udhëzoi vartësit që duke filluar nga 31 marsi, pra e enjtja e kësaj jave, pagesat e gazit rus të bëhen me rubla. Shefi i Kremlinit udhëzoi qeverinë, Bankën Qendrore e kompaninë Gazprom që të veprojnë duke marrë masat e duhura. Por, G7 refuzon të paguajë me rubla.
Për arsye sigurie, sot nuk do të ketë korridore humanitare në Ukrainë. Shërbimet sekrete ukrainase raportuan për provokime të mundshme të pushtuesve përgjatë atyre këtyre korridoreve që shfrytëzohen për evakumin e njerëzve apo për të dërguar furnizime për ata që nuk largohen.
Në Mariupol, rusët akuzohen për rrëmbimin e 2 mijë fëmijëve. Punonjësit e Kryqit të Kuq shprehin shqetësimin se ende nuk kanë arritur të dërgojnë ndihma në këtë qytet që mbahet i rrethuar nga forcat e Moskës e ku nuk garantohet korridor humanitar.
Kina sheh dialogun dhe negociatat si të vetmen mënyrë korrekte për të zgjidhur çështjen ukrainase.
Palët duhet që me urgjencë të promovojnë bisedimet e të mos intensifikojnë konfliktin, me qëllim që t’i jepet fund luftës.
Presidenti Zelensky dha alarmin se disa prej kryebashkiakëve të rrëmbyer nga forcat ruse janë gjetur të pajetë. Zelensky e bëri të ditur këtë në një intervistë për Economist. Në ditët e kaluara, mediat në Ukrainë raportuan për 14 kryebashkiakë të rrëmbyer. Sipas Kievit zyrtar ka shkuar në 143 numri i fëmijëve të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i agresionit, më 24 shkurt. Po ashtu, raportohet se në 24 orët e fundit, rajoni ukrainas Kharkiv është goditur mbi 200 herë nga rusët.
Shkupi zyrtar vendosi të dëbojë pesë diplomatë rusë. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, “ata kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda pesë ditëve të ardhshme”. Shkupi ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, si edhe iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Europian duke mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet nga Moska e anasjelltas.