Presidenti rus, Vladimir Putin, firmosi një ligj të ri e që agjencisë kryesore të Inteligjencës së Brendshme të Rusisë i jep kompetenca të reja për të ndalur internetin brenda vendit.
I nënshkruar një ditë më parë ky ligj është më i fundit në një seri rregulloresh që forcojnë ndjeshëm mundësitë e autoriteteve të Moskës zyrtare për të kufizuar dukshëm lajmet dhe informacionet brenda shtetit rus.
Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), masa e re, e miratuar më herët gjatë javës nga ligjvënësit, i jep fuqinë që nga ofruesit e shërbimeve të internetit qofshin celulare apo të linjës fikse, të çaktivizojë ose të kufizojë qasjen në rastet “e përcaktuara nga aktet rregullatore ligjore të presidentit të Federatës Ruse”.
Ky veprim i mundëson Putinit të vendosë vetë kur komunikimet online në të gjithë vendin ose në një rajon të caktuar duhet të ndërpriten, pa qenë i detyruar të japë arsyen se përse. Gjithashtu, heq çdo përgjegjësi ligjore për ofruesit që zbatojnë këto urdhra.
Vetëm presidenti mund të vendosë kufizime, citohet të jetë shprehur Sarkis Darbinyan, një avokat dhe aktivist i hershëm i internetit. Sipas tij, dekretet presidenciale janë “edhe më të thjeshta se ato qeveritare”.
Në muajt e fundit, autoritetet ruse janë përballur me disa forma, për të ndaluar dronët ukrainas të hyjnë në hapësirën ajrore të Rusisë. Në shumë raste, dronët përdorin sinjale ruse të të dhënave për të fluturuar drejt objektivave, ndonjëherë edhe në distanca të gjata.
Autoritetet gjithashtu kanë ashpërsuar masat ndaj mjeteve të njohura të internetit, veçanërisht aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp e Telegram.
Të dy aplikacionet janë ngadalësuar ndjeshëm, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë për t’i shtyrë qytetarët rusë të përdorin një aplikacion të mbështetur nga shteti e të quajtur Max.
Raportohet se Telegrami do të bllokohet plotësisht duke filluar nga data 1 prill e këtij viti.
Kufizimet ndaj Telegramit kanë nxitur reagime nga blogerë që ndjekin nga afër lëvizjet e Rusisë në fushëbetejën në Ukrainë dhe që mbledhin fonde për njësitë ruse. Telegram përdoret shumë edhe nga ushtarët rusë.
Rregullatori i teknologjisë, Roskomnadzor, e akuzon Telegramin e krijuar nga sipërmarrësi në mërgim, Pavel Durov, për krijimin e një tregu me rrjedhje informatash personale të qytetarëve rusë.