Aktualitet

Qarkullimi me shpejtësi, policia ndëshkon drejtuesit me masa maksimale!

Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes maksimal në drejtimin e automjeteve, duke theksuar rrezikun që sjell shpejtësia e lartë në rrugë. Në një postim në rrjetet sociale, njofton se gjatë kontrolleve në aksin Peqin-Elbasan, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, janë konstatuar automjete që lëviznin me 198 km/h deri në 202 km/h.

Ky fenomen, thekson Policia, rrezikon seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës. Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore ka ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve me masa maksimale, duke aplikuar gjithashtu zbritjen e deri në 8 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore përsërit apelin për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe thekson rëndësinë e parandalimit të aksidenteve. Në një mesazh thuhet:

Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve! Kujtoni gjithmonë: Qarkullojmë më ngadalë për të jetuar më gjatë. Drejto automjetin duke respektuar rregullat e qarkullimit rrugor – familja po të pret në shtëpi.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha akset rrugore kombëtare dhe qendrat urbane monitorohen vazhdimisht me mjete inteligjente nga Njësia Operacionale e Policia Rrugore vendore.