Rajoni

Qeveria amerikane ndan shqetësimet me Kongresin për tensionet në veri të Kosovës!

Administrata amerikane ndan të njëjtat shqetësime me Kongresin lidhur me tensionet në veri të Kosovës. Kështu tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Zyrtarët e qeverisë amerikane, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Europian, për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Me udhëheqësit e Serbisë e të Kosovës janë angazhuar për të nxitur shtensionimin e përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të vitit.

Normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë e sigurinë në veri të Kosovës.

Në këtë mënyrë iu përgjigj një letre që një grup senatorësh demokratë dhe republikanë i drejtuan presidentit amerikan, Joe Biden, duke kërkuar që ta trajtojë me përparësi përkeqësimin e situatës së sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një ditë më parë u mësua se një grup senatorësh amerikanë kërkoi që administrata e presidentit Joe Biden, t’i japë prioritet adresimit të situatës jo të mirë të sigurisë mes Kosovës e Serbisë. Në një letër që përmban firmat e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, shefi i Shtëpisë së Bardhë nxitet të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen lidhur me propozimin e Bashkimit Europian për shtensionimin e situatës.

Letra e tetë senatorëve amerikanë i bën thirrje Biden-it, “të ushtrojë presion diplomatik, për t”i dhënë fund krizës aktuale”. Letra përmend dhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia arritën në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve. Senatorët paralajmëruan rishqyrtimin e mbështetjes nga Kongresi, nëse Kosova dhe Serbia “dështojnë të ushtrojnë përmbajtje” e “të punojnë për shtensionimin e situatës së sigurisë”. Nga administrata Biden kërkuan të sigurojë një raport për Senatin Amerikan mbi situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës.