Mes maleve të dendura të Zemplénit dhe ultësirave pjellore të Fushës së Madhe Hungareze, Tokaj shtrihet si një mozaik vreshtash të mbrojtura nga UNESCO. Kantina shekullore po ringjallin verëra të çmuara që shoqërohen në mënyrë perfekte me kuzhinën lokale, nga kërpudhat e pyllit te mishi i derrit mangalitsa, i aromatizuar me paprika.
Sipas sistemit hungarez, Tokaj është qytet, thotë guida lokale Márti Szegedi. Rruga kryesore është e vogël dhe e qetë, me dyqane vere, shtëpi ngjyrë pastel dhe pothuajse pa njerëz. Por të gjithë e dinë se është fshat. I vendosur aty ku bashkohen lumenjtë Tisa dhe Bodrog, Tokaj i jep emrin rajonit Tokaj-Hegyalja, një peizazh kulturor historik i mbrojtur nga UNESCO, me traditë vere mbi një mijëvjeçare.
Rajoni ka kaluar epidemi, luftëra botërore dhe kolektivizimin komunist, por pas vitit 1989 ka rizbuluar identitetin e vet.

Kodrat e buta janë të mbushura me vreshta, fusha luledielli e gruri, kisha, rrënoja kështjellash dhe, nën tokë, rrjete kantinash të errëta të gdhendura në shkëmb vullkanik, ku ruhen disa nga verërat më të ëmbla dhe më të shtrenjta në botë.
Në Hercegkút, pranë Tokajt, hyrjet trekëndore të kantinave të shekullit XVIII duken si shtëpi hobit. Brenda, myku karakteristik gri ndihmon në kontrollin e lagështisë, shenjë e një kantine të shëndetshme.

Aty shijohet Furmint, vera e thatë dhe minerale, por edhe Aszú, krenaria e rajonit: verë e ëmbël e prodhuar nga rrushi i prekur nga “kalbëzimi fisnik”.
Korrja bëhet me dorë, vera ruhet në fuçi lisi dhe mund të ruhet për dekada. Ëmbëlsia e saj shkon jo vetëm me ëmbëlsirat, por edhe me mishra të pjekur, pate dhe gështenja.
Në restorantet e zonës, kuzhina lokale mbështetet te paprika, mish gjahu nga pyjet e Zemplénit dhe derri mangalitsa, racë vendase, me mish të yndyrshëm e shumë aromatik.

Supa me paprika, gjellët me speca dhe mish dreri, apo fileto mangalitsa shoqërohen me Aszú-në e artë, dikur e preferuar nga oborret mbretërore europiane.
Rilindja kulinare shtrihet edhe te pastiçeritë artizanale, ku recetat tradicionale hungareze interpretohen me fruta vendase dhe pak sheqer, si flódni apo rákóczi túrós.
Ndërkohë, mishi i mangalitsës, dikur pranë zhdukjes, sot vlerësohet globalisht dhe përputhet në mënyrë ideale me verërat e Tokajt.
Fytyra moderne e rajonit shfaqet në kantina si Sauska, ku prodhohen edhe verëra të thata e të gazuara.
Kuzhina bashkëkohore, e rafinuar dhe e frymëzuar nga vera, respekton traditën, por e çon Tokajn drejt së ardhmes.
Duke ngritur një gotë Aszú përballë peizazhit vullkanik, bëhet e qartë: ky rajon i fshehur është sot një nga destinacionet më tërheqëse për adhuruesit e verës dhe ushqimit në Europë. /shqip.al