Politikë

Rama: Me këtë opozitë s’debatohet. Kemi datë për negociatat

Zhvendosen në sallën e Kuvendit debatet për shtyrjen e negociatave të anëtarësimit. Kryeministri Rama mori fjalën dhe ku theksoi se me Opozitën nuk ka çfarë të debatohet: “Çfarë mund të debatojmë ne këtu me këta? Të debatosh që Shqipëria ka këtë opozitë, e cila është vetmja në historinë e integrimit në BE që është kundër këtij integrimi. Këtë do të debatojmë ne këtu? Këtë e thonë të gjithë miqtë e Shqipërisë që ne takojmë dhe që u angazhuan për Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke bërë më shumë se këta. Të debatosh pse opozita jonë është e vetmja që thotë Shqipëria dështoi, ndërsa Këshilli Europian ka edhe një kartolinë urimi për shqiptarët dhe maqedonasit. Që KE përshëndet vendimin që miqtë dhe partnerët tanë na urojnë dhe vazhdojnë edhe sot të na komunikojnë për të uruar. Është njësoj si të debatosh pse keni rënë në prerin e Esad Pash Toptanit? Sinqerisht ne nuk kemi fare punë me këta, se kemi mjaft punë për të bërë dhe në këtë stad të ri, barra jonë është plotësisht e rëndë dhe nuk mund t’i mbajë këta në kurriz”, tha Rama. Fjalën e ka marrë Lulzim Basha ku deklaron:“Askush përveç Këshillit Europian nuk mund të hap negociatat. Rama brodhi cep më cep duke rrahur gjoksin se në Shqipëri nuk ka më krim dhe se Shqipëria i meriton hapjen e negociatave. Ne shkuam kryeqytet më kryeqytet, ku edhe në ato vende që e dinë shumë mirë që Edi Rama ka rritur eksportin e krimin, eksportin e drogës dhe emigrimin”, tha Basha.