Aktualitet

Rama në Bashkinë e Tiranës, takim me nënkryetarët!

Kryeministri Rama ka shkuar në Bashkinë Tiranë për një takim me nënkryetarët pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, një ditë më parë. Më herët në mëngjes, Rama foli lidhur me këtë zhvillim, duke deklaruar:

Bufi i kënetës dhe mangallët e partiçkave u ekzaltuan. Marrja nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloj me formulën 5 vjeçare s’kam koment.

Nuk do i mbaj më për vete komentet e mia. Kur do ta shoh do e ndaj me publikun. S’kam asnjë pendesë për heshtjen, por kjo heshtje është keqkuptuar.

Rastin e Erionit e kam ndjekur për një sërë arsyesh që do të duhen kohë për t’i shpjeguar. Ajo që më ka shqetësuar shumë seriozisht e më ka nxitur të bëhem i vëmendshëm ka qenë intimidimi, intimidimi i disa personave të marrë në pyetje. Njerëz të artit e kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës.

Ne nuk do të ngutemi. Do të mundohemi të krijojmë opinionin e konsoliduar për të cilin gjykatësi ka firmosur t’ia heqë kokën nga shpatullat Bashkisë Tiranë. Duke e lënë pa drejtim një kryeqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë, pa gjyq. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë anonime, që ka pjellë një roman me 400 faqe ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur në pikën që dhe një nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie, pasi babanë e kanë çuar në paraburgim. Pyetja që lind është e thjeshtë: Kush do e çojë dhe marrë këtë fëmijë në shkollë?

Rama tha se Altin Dumani ka pasur dosjen e “21 Janarit” në tavolinë dhe më parë.

Altin Dumani, që është drejtues i SPAK-ut e ka pasur 21 Janarin në tavolinë dhe më parë, ka qenë prokuror i 21 Janarit. Ka pasur mundësi ta luftojë edhe atëherë korrupsionin. Dini gjë që të ketë bërë luftë kundër korrupsionit, t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani? Jo, se ka qenë e pamundur. Drejtësia ka qenë e kapur. Doni apo s’doni ju e ata që bëjnë kua kua apo ata që u shkojnë nga prapa, sot drejtësinë e ka çliruar nga kontrolli i pushtetit politik, forca politike që unë kam privilegjin të udhëheq për të bërë luftë majtas e djathtas.