Aktualitet Politikë Tech

Rama: Shqipëria pëson një sulm kibernetik çdo 3 minuta!

Sot në Konferencën e 3-të të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, që po mban punimet në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë përballet me sulme kibernetike në çdo tre minuta. Sipas tij, përgjatë vitit të fundit ishin 48 sulme që kanë lënë gjurmë në sistem, por që nuk kanë arritur të shkaktojnë dëme serioze.

Sot përballemi mesatarisht me një sulm kibernetik çdo 3 minuta. Por, ia dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Kur bëhet fjalë për sulme që lënë gjurmë, kemi pasur 48 të tilla gjatë gjithë vitit të fundit. Kanë lënë gjurmë, por nuk kanë bërë asnjë dëm të konsiderueshëm.

Kur vjen fjala për infrastrukturën tonë shtetërore, digjitale apo fizike, ne jemi mes më të mirëve. Kjo sepse kemi qenë mes të parëve që kombinuan mbrojtjen kibernetike me AI-së e është AI-ja jonë brenda këtij muri mbrojtës kibernetik që bën punë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës, për të zbuluar në faza shumë të hershme potencialin e sulmeve të dëmshme.

Kjo është vetëm një anë e historisë sepse na duhet të bëjmë shumë më tepër për ta përfshirë sektorin privat e për të ndërgjegjësuar që ashtu si vdekja, që nuk është thjesht një zë i pakonfirmuar, sulmi kibernetik është real dhe dëmi që mund të bëjë është real, vuri në dukje shefi i qeverisë, Edi Rama.

Kryeministri solli shembullin e bankave:

Mund t’ju them si kanë ecur gjërat me bankat. Dolën bankat dhe thanë që jemi në shënjestër. Ne i ofruam ndihmë, por e morën shumë lehtë. Një prej tyre u desh të përballej me këtë gjë dhe e kuptuan që ishte vërtet shumë keq. Tani mund të themi që kur vjen fjala të sektori bankar, niveli i mbrojtjes është i lartë, ashtu si dhe në sektorin energjitik. Por, ka ende shumë më tepër për të bërë, theksoi Rama në fjalën e tij.