Aktualitet

Shqipëria me SHBA-të, Britaninë e të tjera vende: Irani të ndalë sulmet kibernetike në territoret tona!

Shqipëria iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe 10 vendeve të tjera në deklaratën e përbashkët për dënimin e numrit në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane. Në dokumentin e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, 14 vendet firmëtare, përfshirë Shqipërinë, i konsiderojnë sulmet iraniane si “të papranueshme” dhe në “shkelje të sovranitetit”.

Vendet firmëtare, ashtu siç nënvizohet në deklaratën e përbashkët, i kanë bërë thirrje autoriteteve iraniane që t’u japin fund menjëherë aktiviteteve të tilla, të paligjshme në territoret e tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane në territoret tona përkatëse.

Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare për të synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë e të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme, thuhet në deklaratë.

Kujtojmë se tre vite më parë, Tirana zyrtare ngriu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike pasi e akuzoi Iranin se fshihej pas sulmit kibernetik që përfshiu shërbimet publike online në vendin tonë. Shqipëria i dërgoi notë verbale ambasadës së Teheranit ndërsa kryeministri Edi Rama i kërkoi ambasadës iraniane largimin brenda 24 orëve nga territori i Shqipërisë.