Menjëherë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Mal të Zi, Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Vlorës, ku ka mbërritur me helikopter. Kreu i qeverisë po zhvillon një bisedë me banorët e zonës së Zvërnecit në lidhje me projektin e resortit turistik, që ka nxitur protesta në Tiranë dhe disa rrethe.
Gjatë fjalës së tij, teksa ka folur për investimet që priten të kryhen në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec, kryeministri Rama tha se Sazani është çështje e Qeverisë, ndërsa Zvërneci është çështje private. Sipas Ramës, pronarët e pronave në Zvërnec të Vlorës merren vesh privatisht me investitorët për shitjen ose jo të tokave.
“Nuk kam idenë fare se çfarë marrëveshje kanë bërë pronarët e pronës me investitorët. Nëse ju ktheheni në kohë kur ka dalë për herë të parë shfaqja e interesit të familjes së Presidendit të SHBA-së për Sazanin dhe Zvërnecin, unë e kam thënë shumë qartë që në atë kohë se Sazani është një çështje e qeverisë shqiptare, ndërsa pjesa përballë Sazanit është një çështje private, pronarësh privatë. Pronarët privatë merren vesh privatisht. Kështu që Shqipëria shitet apo nuk shitet kur vjen puna te prona private, këtë e vendosin pronarët, jo qeveritë apo protestuesit. Përsa kohë ajo tokë është e blerë nga investitorët, ajo tani është tokë e investitorit”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej kreu i qeverisë u sqaroi banorëve rëndësinë që ka hetimi i Prokurorisë së Posaçme për një prej pronarëve të tokës, proces që mund të sqarojë përfundimisht çdo pretendim mbi pronësinë.
Rama tha se nëse gjykata do të vendosë në favor të pretenduesve të tjerë të pronës ku do të kryhet investimi në Zvërnec, atëherë sipas tij, ata do të marrin dhe ndajnë paratë e bllokuara nga SPAK, që njëri nga pronarët e tokës në Zvërnec ka marrë nga investitori.
“Gjykata i ka të gjitha shanset për një hetim mjaft të qetë pozitiv për këdo qoftë që mund ta fitojë me gjykatë çështjen, sepse hetimi nuk bëhet për kompaninë, për investimin, për projektin, por hetimi është në proces për një individ, për një subjekt, që ka shitur pronën dhe për këtë arsye, pasi ka marrë të gjitha të dhënat nga Agjencia e Kontrollit të Pastrimit të Parave, SPAK ka lëshuar transaksionin, por e ka çuar në konton përkatëse në noter dhe te kontoja e noterit rri e bllokuar, derisa të sqarohet pozicioni i individit me fjalë me drejtësinë. Nëse do të merrni nga gjykata letrën që jeni pronarë legjitimë, atëherë do të keni akses në atë fond dhe do të merrni paratë”,- tha Rama.